Tirana, e vështirë për familjet e reja, lindjet në rënie me dyfishin e mesatares kombëtare
Lindjet në Tiranë ranë me 8 për qind në nëntëmujorin 2026, ndërsa në shkallë kombëtare rënia ishte 4,7 për qind.

Teksa kryeqyteti vijon të tërheqë popullsi nga qarqet e tjera të vendit, numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se mesatarja kombëtare. Në nëntë muajt e vitit 2026, në qarkun e Tiranës lindjet u tkurrën me 8%, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), ndërsa në shkallë kombëtare numri i lindjeve ra me 4,7%.
Kryeqyteti po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për familjet e reja. Rritja e fortë e çmimeve të apartamenteve dhe qirave, kostot e jetesës dhe shpenzimet më të larta për familjet me fëmijë po e bëjnë më të vështirë krijimin dhe zgjerimin e familjes, pavarësisht mundësive më të mëdha për punësim dhe të ardhura që ofron Tirana.
Sipas INSTAT, në nëntëmujorin 2026, në Tiranë u regjistruan 647 lindje më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke e kthyer kryeqytetin në përcaktuesin kryesor të tkurrjes së lindjeve në vend. Në të gjithë Shqipërinë u regjistruan 16.016 bebe nga janari në shtator 2026, ose 789 lindje më pak se një vit më parë. Vetëm Tirana kontribuoi me rreth 82% të uljes neto në shkallë vendi, ndërsa në 11 qarqet e tjera së bashku lindjet u pakësuan me vetëm 1,6%.
Çmimet e banesave dhe qiratë rëndojnë mbi familjet e reja
Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore ekonomike dhe e punësimit në vend, ku përqendrohen investimet, bizneset dhe një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që lëvizin nga qarqet e tjera. Megjithatë, përfitimet nga mundësitë më të mëdha ekonomike po përballen me koston gjithnjë e më të lartë të jetesës.
Një nga pengesat më të mëdha për çiftet e reja është strehimi. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat nga puna, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë pa një kredi të konsiderueshme ose ndihmën financiare të familjes. Edhe qiratë përbëjnë një barrë të madhe për çiftet që kërkojnë të jetojnë më vete.
Sipas një përllogaritjeje të mëparshme të “Monitor”, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76,3% gjatë periudhës 2015–2025. Kjo do të thotë se, në raport me të ardhurat, blerja e së njëjtës banesë është bërë ndjeshëm më e vështirë sesa dhjetë vjet më parë. Ndonëse ky tregues është kombëtar, presioni i çmimeve të banesave është veçanërisht i ndjeshëm për familjet e reja që kërkojnë të jetojnë në Tiranë.
Kostot e jetesës ndikojnë në vendimet për krijimin dhe zgjerimin e familjes
Përveç strehimit, familjet e reja përballen edhe me shpenzime të larta për kujdesin ndaj fëmijëve, çerdhet dhe kopshtet private, transportin dhe shërbimet e tjera të përditshme. Në Tiranë, distancat dhe koha e udhëtimit janë rritur, ndërsa organizimi i jetës familjare bëhet më i kushtueshëm dhe më i vështirë, veçanërisht kur të dy prindërit punojnë.
Këto presione ekonomike mund të ndikojnë në shtyrjen e vendimit për të pasur fëmijën e parë ose në kufizimin e numrit të fëmijëve. Një çift që duhet të përballojë një kredi të lartë për apartamentin, qiranë dhe shpenzimet e përditshme mund ta ketë më të vështirë të planifikojë zgjerimin e familjes.
Ndërsa Tirana ofron më shumë mundësi punësimi dhe të ardhurash krahasuar me qarqet e tjera, rritja e kostove bazë të jetesës po krijon vështirësi për çiftet që synojnë të krijojnë një familje ose të kenë më shumë fëmijë.
Gjirokastra me rënien më të madhe të lindjeve, Dibra dhe Kukësi me rritje
Në shkallë vendi, rënia më e madhe në përqindje e lindjeve gjatë nëntëmujorit 2026 është regjistruar në Gjirokastër, me 11,6%. Numri i lindjeve në këtë qark zbriti në vetëm 191, nga 216 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas Gjirokastrës renditet Tirana, me rënie prej 8%, e ndjekur nga Durrësi, ku lindjet u tkurrën me 7,6%, nga 1.729 në 1.598. Rënie më të moderuar regjistruan Shkodra me 3,2%, Fieri me 2,4%, Korça me 1,5% dhe Vlora me 0,3%.
Në të kundërt, pesë qarqe regjistruan rritje të lindjeve. Dibra kryeson me një shtim prej 7,4%, nga 499 në 536 lindje, e ndjekur nga Kukësi me 5,6%, nga 376 në 397 lindje. Rritje të lehtë shënuan edhe Elbasani me 1,6%, Berati me 1,2% dhe Lezha me 1,1%.
Në qarqet e tjera, veçanërisht në ato që prej vitesh përballen me emigracionin dhe largimin e të rinjve, numri i lindjeve mbetet shumë më i ulët se një dekadë më parë. Rritjet e vogla të regjistruara gjatë këtij viti nuk mjaftojnë për të ndryshuar prirjen afatgjatë të rënies së lindshmërisë.
Tirana tërheq popullsi, por lindjet vijojnë të bien
Zhvillimi më shqetësues është se edhe Tirana, e cila ka përfituar nga zhvendosja e popullsisë së qarqeve të tjera, po regjistron një tkurrje të shpejtë të lindjeve. Kryeqyteti vijon të tërheqë njerëz për të punuar dhe jetuar, por kostot e larta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një jete familjare.
Nëse kjo prirje vazhdon, përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik në kryeqytet nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar rënien e lindjeve. Për familjet e reja, mundësitë e punësimit dhe niveli i pagave janë vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër lidhet me të ardhurat që mbeten pasi paguhen strehimi dhe shpenzimet bazë të jetesës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)